Home » » Xhemi Shehu: Mrekullitë ndodhin vërtetë!

Xhemi Shehu: Mrekullitë ndodhin vërtetë!

Prezantues që ikin, prezantues që vijnë, ndërkohë që figura jote është e vetmja që vazhdon të jetë pjesë e pandryshuar e “E diell”. Ç’të mban kaq fort të lidhur pas këtij spektakli?
Pse, kaq shumë paska rënë në sy që ikin e vijnë?! Nisur nga këndvështrimi im në fakt, nuk e kam parë  fort të arsyeshme apo të nevojshme lëvizjen time nga “E diell”, duke qenë se formati i tij ndryshon shpesh, duke më dhënë mundësinë që ta provoj veten në rubrika të ndryshme. Rrjedhimisht kjo e bën punën më interesante, të mban gjallë e s’të lë të biesh në monotoni. Ja pse e dua “E diell”!
Thuajse çdo sezon ndryshojnë partnerët/et që ke në krah. Këtë herë do të jesh së bashku me Alban Dudushin. Është hera e parë që bashkëpunon me të. Deri tani, gjatë provave, si kanë shkuar gjërat? Ndihesh komode?
-Nuk do të thosha çdo sezon, pasi për 3 vite rresht shtylla e programit ka qenë një dhe vetme. E me këtë nënkuptoj që kam pasur vetëm një partner të vërtetë në këtë program. Për sa i përket Albanit, do doja të shprehja kënaqësinë time për faktin që do jem krah një prezantuesi shumë të suksesshëm, simpatik e mjaft të përgatitur siç është ai!
Nëse më lejohet të jap mendimin tim, edhe pse nuk ju kam parë ende bashkë them se shkoni si çift skenik. Keni të dy një pikë të fortë, që është humori dhe batutat. Çfarë tjetër mendoni se do t’i përcjellë kjo dyshe publikut?
-Atëherë më lejo edhe mua të të them që je një gazetare me nuhatje të mprehtë e të pagabueshme. Edhe pse njihem prej vitesh me Albanin, kjo do të jetë hera e parë që do të cekim skenën së bashku. Unë për vete jam shumë optimiste për këtë kombinim e shpresoj që të vijmë sa më mirë e sa më natyrshëm edhe tek publiku që do të na ndjekë nga shtëpia.
Këtë sezon do të jesh sërish ti e vetmja femër e “E diell”. Ta përkëdhel disi sedrën ky fakt?
-E thënë sinqerisht dhe shumë pastër, unë jam njëlloj e lumtur edhe kur jam e vetmja femër në një program dhe kur ndodh e kundërta. Nuk më ka shqetësuar asnjëherë ky fakt, përkundrazi ma ka bërë punën më të bukur si edhe përgjegjësinë më të vogël!
Të kam dëgjuar të përmendësh shpesh Adi Krastën, si një person që e vlerëson shumë. E ruan miqësinë me të?
-Adi do mbetet gjithmonë një njeri special për mua. Në 3 vite punë së bashku më ka dhuruar emocione të panumërta, lot gëzimi, të qeshura dhe një eksperience që do më vlejë gjatë në jetë.
Kam lexuar një intervistë tënden dhënë vetëm pak kohë më parë dhe ndër të tjera, teksa flisje për eksperiencën në Top Channel, shpreheshe se ke pranuar me shumë kënaqësi të gjitha formatet që të janë propozuar. Nëse ti vetë do të propozoje për të prezantuar një format ashtu siç do ta dëshiroje ti, cili do të ishte ai?
-Më pëlqejnë shumë formatet me përmbajtje humori e një i tillë ekziston tashmë prej shumë vitesh në vendin tonë. E kam provuar për një sezon “Portokalli”-në dhe është i vetmi program që do të pranoja me kënaqësi ta prezantoja pas “E diell”.
Të pamë të ftuar në spektaklin “1001 pse”. Si u ndjeve përballë atyre fëmijëve?
-Deri në momentin që i kisha ndjekur nga ekrani kam qenë shumë e qetë dhe mezi prisja madje të isha përballë tyre. Ndërkohë ndodhi krejt e kundërta ditën që do të shkoja në program, pasi as që e kisha imagjinuar se do të  isha aq në ankth në çastin kur më erdhi karrigia për t’u ulur përpara atyre syve kureshtarë. Ama mund të them që jam kënaqur pa fund atë ditë me zgjuarsinë dhe çiltërsinë që i karakterizonte ata fëmijë aq të bukur.
Cila ishte pyetja që të vuri më shumë në siklet?
-U trembesha pyetjeve të sikletshme, por falë Zotit nuk më bënë. U morën më tepër me peshën time dhe marrëdhëniet me vjehrrën (qesh).
Po kur Martini të fillojë të të bëjë pyetje: Mami, si bëhen fëmijët? Mami, çfarë është seksi? Ke filluar të mendosh për përgjigjet që do t’i japësh?
-Në fakt sapo shpreha gëzimin tim që shyqyr i kisha shpëtuar kësaj tipologjie pyetjesh atje në emision, por kush të lë (qesh). Nuk e kam menduar në fakt se si do t’i përgjigjem Martinit dhe e vetmja përgjigje që po më vjen ndërmend tani është që ta përcjell te Visi, që t’i flasë si çuni çunit (qesh).
Si ka qenë deri tani, një fëmijë i mbarë, apo pak grindavec?
-Martini më ka bindur që mrekullitë ndodhin vërtet.
Më thuaj të drejtën, do të të vijë inat nëse thotë më përpara fjalën “babi”?
-Ka filluar ta thotë në mënyrë të pandërgjegjshme rrokjen ba’. Qetësohem vetëm kur e dëgjoj që e thotë pa pushim bababababa, pasi them me vete se nuk e ka me Visin (qesh).
Çfarë ke menduar kur ke parë për herë të parë Visin të mbajë në krahë djalin tuaj?
-Obobo, a po e mban mirë? Ky ishte vetëm mendimi i parë paranojak që kisha për të gjithë ata që e mbanin ditët e para, por nga ana tjetër jam e lumtur që depresioni post partum nuk më mbajti gjatë.
Cilat janë ato gjëra nga të cilat ke hequr dorë pas ardhjes në jetë të Martinit?
-Kuptohet qe rrjedha e ditëve të mia ka ndryshuar rrënjësisht për shkak të angazhimeve dhe shtimit të përgjegjësisë, sado që unë mundohem të mos heq dorë nga rutina e dikurshme.
Shkurt, por sinqerisht
Na trego pak cila është veshja e fundit që ke blerë?
-Një xhaketë të zezë.
Po të hap dollapin tënd çfarë do të gjej me shumicë aty brenda?
-Veshje të zeza.
Po nëse hap frigoriferin?
-Do trembesh nga salsiçet (qesh).
Mban mend cila ka qenë hera e fundit që je bërë tapë?
-Nuk është pyetje që i drejtohet një nëne (qesh).
Po hera e fundit që ke bërë një gafë aq të madhe, saqë të ka ardhur turp për një javë rresht?
-Mbrëmë në darkë isha aq e lodhur sa shtypa pultin e makinës për të hapur derën e shtëpisë. Turp nuk më vjen, ama për të qeshur sa të duash!
Bëhesh  ndonjëherë me nerva?
-Sigurisht, si çdo shqiptar.
Çfarë rrezikon personi që ke pranë në të tilla raste?
-Nëse nuk ma ka fajin, asgjë!
Je përpara zgjedhjes së vështirë për të hedhur nga kati i pestë këto tre personazhe: një gazetar, një politikan, një prezantuese televizive. Kë do zgjidhje?
-Nuk dua të shkoj në ferr për asnjërin prej këtyre (qesh).
Më mirë të të tradhtojë me një femër, apo me një mashkull?
-Shumë më mirë me asnjërin prej tyre!

Ç
farë do bësh tani pasi të mbarosh këtë intervistë?
-Do të ftoj për kafe një miken time që së fundmi është bërë edhe komshia ime më e re.
Aulona Musta Revista Paloma

0 comments:

Like

Twitter

 
Copyright © 2014 Show Biz ★ V.I.P ★ Big Brother ★ Albania Gossip Thashetheme Lajme Blog Vipat Shqiptar Celebrity Eros